SI TA MBJELLIM NË FËMIJËT TANË DASHURINË PËR PEJGAMBERIN SAL-LALL-LLAHU ALEJHI VE SEL-LEM?

Ekziston një numër i mënyrave se si ta rrënjosim dashurinë për Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në zemrat e fëmijëve tanë, siç janë:

1. Prindërit duhet t’u mësojnë fëmijëve të tyre tregime që u janë treguar fëmijëve të sahabëve në kohën e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, se si kanë luftuar ata kundër atyre që janë munduar ta dëmtojnë atë, sa shpejtë i janë përgjigjur thirrjes së tij dhe i kanë kryer urdhrat e tij, si ata e kanë dashur atë që e ka dashur Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, si i kanë mbajtur në mend dhe ruajtur hadithet e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, etj.

2. Prindërit duhet t’i nxisin fëmijët e tyre dhe t’i ndihmojnë ata për të mësuar përmendësh sa më shumë hadithe, e për këtë gjë që e bëjnë ata duhet t’i shpërblejnë. Sa i përket kësaj çështje tregohet se Imam Maliku e kishte pasur një vajzë, e cila e kishte mësuar përmendësh veprën e tij (librin El Muvata). Ajo e kishte bërë shprehi të qëndronte prapa derës dhe nëse studenti bënte gabim duke thënë hadithin, ajo trokiste në derë dhe Imam Maliku e merrte vesh dhe e korrigjonte studentin që kishte gabuar. Gjithashtu tregohet se Nadr bin Harith thotë: “E dëgjova Ibrahim bin Ed’hemin që thoshte: “Baba im më thoshte mua, o biri im, kërkoje hadithin dhe çdo herë që e dëgjon një hadith të ri dhe e mëson, do të ta jap nga një dërhem”, kështu që unë mësova hadithe në këtë mënyrë.”

3. Prindërit duhet t’i mësojnë ata – duke u bazuar në nivelin e tyre të kuptimit – për jetën e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, për kampanjat e tij ushtarake, dhe për jetën e sahabëve radijallahu anhum, meshkuj dhe femra. Kështu që fëmijët tanë do të rriten duke dashur këta njerëz bujarë dhe të jenë të ndikuar nga sjelljet e tyre dhe do të jenë të gjallë, të mprehtë e të sinqertë që të përpiqen ta rregullojnë vetveten e tyre dhe të mbështesin fenë e tyre.

4. Sahabët dhe selefët (gjeneratat e para të muslimanëve) ishin të vendosur dhe të gjallë që t’i mësojnë fëmijët e tyre për jetën e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Këtë e bënin anash mësimit të Kur’anit, sepse historia e tij (sire) është shpjegim i kuptimeve të Kur’anit, si dhe përzierja e emocioneve dhe demonstrimi i vërtetë i Islamit dhe ndikimi i efektit të mrekullueshëm në shpirt. Gjithashtu bënin bartjen e kuptimit të dashurisë dhe xhihadin për të ruajtur njerëzimin prej drejtimeve të këqija dhe duke i sjellë ata në rrugë të drejtë, prej të pavërtetës në të vërtetën, prej errësirës së injorancës në dritën e Islamit.

5. Kur i tregoni fëmijëve tuaj për jetën e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe jetën e sahabëve radijallahu anhum, meshkuj e femra, baba dhe nëna duhet t’u tregojnë atyre gjëra që kanë lidhje me fëmiun, siç është fëmijëria e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, disa tregime për jetën e tij me (mëndeshën, tajën e tij) Halime Sadijen dhe se si Allahu i dhuroi të mira e bereqet Halimes dhe familjes së saj për shkak të Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, për natën e Hixhretit dhe se si Allahu ia mbuloi sytë e mushrikëve, dhe tregime tjera që tregojnë se si Allahu i ndihmoi atij. Kështu që zemra e fëmijëve do të mbushet me dashuri për Allahun dhe me dashuri për Pejgamberin e Tij sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Tregohet prej Ali bin Ebu Talibi radijallahu anhu se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nxitni fëmijët tuaj të mësojnë tri karakteristika: Ta duan Pejgamberin e tyre sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ta duan familjen e tij dhe leximin e Kur’anit. Bartësit e Kur’anit do të jenë nën hijen e Allahut ditën kur nuk do të ketë hije përveç hijes së Tij, do të jetë bashkë me Pejgamberët e Tij dhe me të zgjedhurit e Tij.” [Transmeton Sujutiu në Xhamius Sagir, fq. 25; Albani e bën daif në Daiful Xhamius Sagir fq. 36, nr. 251]

Do të ishte ide e mirë nëse prindërit i kushtojnë një kohë të përshtatshme për mësimin e jetës së Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem gjatë ditëve të mësimit ditor të familjes, kur fëmijët mund të lexojnë për siren (jetën) e Pejgamberit në libra të thjeshtë, apo baba ose nëna t’u tregojnë atyre këto tregime dhe të përshtaten me moshën e fëmijëve.

Hanan Turi (Nga anglishtja: Osman D. Gashi)
Marrë nga: www.islamway.com

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top