Logo
Print this page

KËSHILLAT E LLUKMAN HAKIMIT, TË CILAT IA DHA BIRIT TË TIJ

Allahu xh.sh. i ka obliguar muslimanët që t’i edukojnë fëmijët e tyre dhe familjen me edukatë islame, e nëse nuk e kryejnë do të kenë përgjegjësi para Allahut xh.sh. në Ditën e Gjykimit. Si shembull për çdo prind se si t’i edukojë fëmijët e vet në baza islame kemi shumë ajete kur’anore, hadithe dhe mendime të dijetarëve islam.
Në një rast të veçantë Kur’ani i përmend këshillat e Llukman Hakimit, të cilat ia drejton të birit. Si për shembull: (përkujtoju popullit tënd) Kur Llukmani duke e këshilluar, birit të vet  i tha: ”O djali im, mos i përshkruaj Allahut shok, sepse idhujtaria është padrejtësia më e madhe!” [Llukman, 13]
“O djali im, s’ka dyshim se edhe nëse ajo (vepra) peshon sa kokrra e lirit, e të jetë fshehur në rrasë guri, ose në qiej apo në tokë, Allahu do ta sjellë atë, se Allahu është i butë dhe hollësisht i informuar.” [Llukman, 16]
Do të thotë se kudo që jemi duhet ta dimë se Allahu na sheh dhe është i informuar për të gjitha ato që i bëjmë ne. Qofshim në errësirën më të madhe, thellësinë më të thellë, natën, ditën, vetëm, në shoqëri, apo gjetiu, Ai në çdo skutë, rast na sheh: “Vërtetë, Allahu sheh çdo gjë.”
“O djali im, fale namazin, urdhëro për punë të mira, e ndalo nga të këqiat, përballo me durim çdo gjë që të godet, vërtet, këto janë nga çështjet më të preferuara.” [Llukman, 17]
Pra, Llukmani e këshillon të birin që të falë namazin, të bëjë mirë, të ruhet nga të këqiat dhe në çdo rast të përballojë me durim dhe e preferon në bëmirësi.
“Dhe mos shtrembëro fytyrën tënde prej njerëzve, mos ec nëpër tokë kryelartë, se Allahu nuk e do asnjë mendjemadh e që shumë lavdërohet.” [Llukman, 18]
“Të jesh i matur në ecjen tënde, ule zërin tënd, se zëri më i egër është zëri i gomarit.” [Llukman, 19]
Këto këshilla, të cilat ia drejton Llukman Hakimi të birit të tij janë të preferuara për çdo prind, dhe mu për këtë arsye i cek edhe Kur’ani i Madhëruar.
E më pastaj dijetari dhe historiani islam Shelebiu, përveç këtyre këshillave, shënon edhe shumë këshilla tjera, prej të cilave po i cekim disa, e që mund t’u shërbejnë prindërve dhe edukatorëve që në këtë mënyrë t’i edukojnë dhe mësojnë fëmijët e tyre. E këto janë:
---“Biri im, bota është det i thellë, dhe shumë njerëz mbyten në të.
Anija jote le të jetë:  - Frika ndaj Allahut,
Timoni:  - Besimi në Allahun, kurse
Lopata:  - Besimi i fortë në Krijuesin e gjithësisë, Allahun xh.sh..”

---“Biri im, prej botës merr vetëm aq sa ke nevojë të domosdoshme për jetë. Mos i kushto rendësi kënaqësisë jetësore aq shumë, sa që për shkak të saj t’i dëmtosh të tjerët, dhe mos u bën dembel e t’i rëndosh të tjerët!”

---Biri im, jepi përparësi shoqërisë më tepër se vetës dhe nëse i sheh njerëzit duke e përmendur Allahun shoqërohu me ta, sepse në qoftë se ti je i ditur, ata do të kenë dobi prej diturisë sate, e në qoftë se je i paditur, do të mësosh diçka prej tyre. Përveç asaj, shoqërinë e tillë mund ta falë Allahu dhe ti me ta do të jesh i shpëtuar (i falur).”

---“Biri im, rri me dijetarë dhe me njerëz të mençur aq afër sa që të përpiqen gjunjtë e tu me të tyre, kurse me ta mos u grind se të përjashtojnë nga mesi i tyre. Shfrytëzoje çdo rast për të mësuar diçka prej tyre. Kur t’i pyetësh, pyeti sjellshëm, e jo ashpër e paedukueshëm, se mund të të urrejnë. Mos u bën i mërzitshëm se u gërditësh!”

---“Biri im, mos i këshillo njerëzit të jenë fetar derisa edhe vet të jesh i tillë, sepse përndryshe do të bëhesh sikur qiri që vet digjet e iu bën dritë të tjerëve.”

---“Biri im, ruaju prej rrenës, sepse rrena: ta prish moralin, i shtyn njerëzit të presin tepër, për shkak të mendjemadhësisë tënde, dhe në atë mënyrë zhduket dhe humb nderi dhe autoriteti yt, nuk do të të besojë askush kur të flasësh, e as nuk do të të zëjnë besë kur thua diçka, e ku njeriu bie në këtë shkallë, atëherë jeta e tij bëhet e pavlefshme.”

---“Biri im, mos u dëshpëro dhe mos e hudh shpirtin tënd në gajle për shkak të lakmisë, por falëndero për fatin tënd dhe kënaqu me atë që ta ka dhënë Allahu. Nëse bëhesh i tillë: sjellja jote do të jetë e pastër, jeta jote do të jetë e lumtur, kurse shpirti i gëzueshëm. Nëse dëshiron të jeshë i pavarur, mos lakmo në atë që kanë të tjerët!”

Këtu Llukmani e edukon të birin e tij që të jetë i shpëtuar, të gjejë lumturinë në këtë botë dhe të jetë i merituar për xhenet në botën e ardhme.
E më pastaj, e këshillon se si të sillet me njerëzit në përgjithësi, si të gjindet në rastet e ndryshme, si dhe e këshillon se si të ruhet nga njerëzit hipokritë, e mëson se si t’i dallojë njerëzit qëllimmirë dhe qëllimkëqinj.

---Biri im, bëru mirë atyre që e meritojnë, e jo atyre që nuk e meritojnë, se përndryshe do të humbasësh bëmirësinë në këtë botë dhe në botën tjetër, për atë nuk do të marrësh kurrfarë shpërblimi.”

---“Biri im, mendo kur punon diçka. Mos u bën dorështrëngues, por edhe mos shpenzo pa nevojë pasurinë tënde, se edhe njëren edhe tjetrën nuk i do Allahu.”

---“Biri im, respektoje mençurinë, edhe ti do të respektohesh, çmoje fort, edhe ti do të çmohesh fort!”

---“Biri im, ziliqari dallohet në tre mënyra:
- atë që nuk është prezent e nënçmon dhe e merr përgojë,
- të pranishmin e lajkaton dhe
-  për të keqen e çdokujt gëzohet.
E ti kur të dëgjosh diçka të keqe, fshihe në zemrën tënde dhe askujt mos i trego, se përndryshe ajo mund të bëhet gacë që e djeg gjuhën.”

---“Biri im, bëhu gjithmonë i gatshëm për të dëgjuar e jo për të treguar, mos rri shumë aty ku llomotitet (flitet shumë pa nevojë), se llomotitja shkakton urrejtje dhe armiqësi.”

---“Biri im, sikur që lulet janë zbukurim i pemës së vet, ashtu edhe fëmijët e edukuar mirë janë zbukurim i prindërve të vet.”

---“Biri im, filloja punës vetëm me njeriun që është më i vjetër ose më i dijshëm. Ruaju mos ta merr vesh “miku” gjendjen materiale, sepse në qoftë se je i pasur do të ketë zili, e në qoftë se je i varfër do të të lëshojë.”

---“Biri im, çdo punë filloje me emër të Allahut (me Bismilah), e kryeje duke e falënderuar Zotin (me Elhamdulilah).”

---“Biri im, kur të ndodhesh në namaz, ruaje zemrën tënde (mos të mendosh për kurrgjë tjetër përveç Allahut), kur të gjendesh në shtëpi të huaj, ruaji sytë, kur të ndodhesh ndër njerëz, mendo çka flet!”

---“Biri im, dy gjëra gjithmonë t’i kesh ndërmendë (në kujtesë): Allahun dhe Vdekjen.
Dy gjëra harroji dhe kurrë mos i përmend: Të mirën që ia ke bërë dikujt dhe të keqen që ta ka bërë dikush.
Ke kujdes: Ai që shoqërohet me mëkatarin, as ai nuk do të shpëtojë nga mëkati, dhe kurrë nuk do të jetë i qetë.
Ai që i viziton vendet ku gabohet (dhe ku punohen punë të këqia), edhe ai do të vëhet në dyshim.”

---“Biri im, kush nuk mund të bëhet zot i gjuhës së vet, ai padyshim do të pendohet.”

Sahabiu Ebu Umame shënon se Muhammedi alejhi selam në një rast ka thënë: “Llukmani e këshillon të birin duke thenë: “Biri im, shoqërohu me njerëz të dijshëm. Dëgjo çka flasin njerëzit e matur dhe të mençur, sepse Allahu në dritën e mençurisë ngjall zemrën e ngrirë (ndaj ndjenjave fetare dhe humane), sikurse me shiun e bollshëm që e ngjall tokën e vdekur.””
Më poshtë do të shënojmë edhe disa detyra dhe interesa që ia bëri i biri i Llukmanit, pyetjet, gjegjësisht ato që ne i kemi për obligim t’i kërkojmë nga prindërit tanë.
Është shënuar edhe kjo se në një rast Llukmanin i biri e ka pyetur:
- “Babë, cila cilësi është më e mira, me të cilën duhet stolisur njeriu?”
- “Besimi” - iu përgjigj i ati.
- “Sikur të ishin dy, atëherë cilat do të ishin? - pyeti përsëri i biri.
- “Besimi dhe pasuria (d.m.th. pavarësia nga të tjerët) - u përgjigj Llukmani.
- “E sikur të ishin në pyetje tre cilësi, atëherë cilat do të vinin në konsideratë?”- vazhdoi me pyetje i biri.
- “Besimi, pasuria dhe turpi” - u përgjigj ai.
- “Po sikur të ishin katër, çka do të vinte në konsiderim?” - pyeti i biri.
- “Besimi, pasuria, turpi dhe karakteri i mirë me sjellje të mira dhe të njerëzishme?” – u përgjigj Llukmani.
- “Po sikur të ishin në pyetje pesë cilësi, çdo të vinte në konsiderim atëherë?” – pyeti përsëri i biri.
- “Besimi, pasuria, turpi, karakteri i mirë dhe bujaria?” - u përgjigj.
- “Sikur të ishin në pyetje gjashtë cilësi, cila do të vinte tani në konsiderim?” - pyeti më në fund i biri.
“Kur të ekzistojnë te një njeri pesë cilësitë e numëruara ai është besimtar i vërtetë dhe  i   dashur i Allahut. Në atë rast është larg shejtani” - u përgjigj Llukman Hakimi.
Pra, duhet që t’i praktikojmë të gjitha këto nëse dëshirojmë të jemi të shpëtuar dhe të udhëzuar nga Allahu xh.sh.!
Bahri Curri
Template Design © Mburoja Tech Mesoislamin. All rights reserved.