Logo
Print this page

RREGULLAT E VESHJES

Rregullat_e_veshjes

RREGULLAT E VESHJES

1. Është e ndaluar për mashkullin të veshë rroba të mëndafshta dhe të stoliset me ar, duke u bazuar në hadithin e Pejgamberit alejhi selam kur mori mëndaf­shin në dorën e djathtë dhe arin në të majtën e tha: “Vërtet këto dy gjëra janë haram për meshkujt e umetit tim.” (Transmeton Ebu Davudi me sened të mirë)

2. Të mos i lëshojë rrobat e tij (qofshin shallvare, xhelabije apo pantallona) nën nyjen e këmbës, sipas hadithit: “Ç’është më poshtë se nyja e  këmbëve nga rrobat që njeriu mban, është e zjarrit.” (Transmetojnë Buhariu, Ibni Maxhe dhe Ahmedi)[1]

3. Femra është e detyruar t’i lëshojë rrobat e saj derisa t’i mbulojnë edhe këmbët. Ajo duhet të vërë edhe shami në kokë, që me anë të saj të mbulojë qafën dhe gjoksin e saj, duke u mbështetur në ajetin kur’anor: “O ti Pejgamber, thuaju grave të tua, bijave të tua dhe grave të besimtarëve le t’i vënë shamitë (mbulojat) e veta mbi trupin e tyre...” (Ah’zab, 59) Gjithashtu, në ajetin kur’anor thuhet: “Le t’i vënë shamitë mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt, përveç burrave të vet...” (Nurë, 31)

4. Të mos veshë muslimani rrobat e muslimanes, por as muslimania rroba burrash, duke u bazuar në hadithin: “Allahu i ka mallkuar burrat që bëhen si gra dhe gratë që bëhen si burra.” (Transmeton Buhariu) Dhe hadithin: “Allahu e ka mallkuar burrin që vishet me rroba grash dhe gruan që vishet me rroba burrash.” (Transmeton Buhariu)

5. Kur të vishet (a mbathet), le të fillojë me të djathtën e kur të zhvishet (zbathet), le të filojë me të majtën, sipas hadithit: “Kur të vishet (mbathet) ndonjë nga ju le të fillojë me të djathtën e kur të zhvishet (zbathet), le të fillojë me të majtën.” (Transmeton Muslimi) Gjithashtu, në hadith thuhet: “Pejgamberi alejhi selam gjithmonë e donte të djathtën në çdo punë, si në mbathje, veshje dhe në pastrim.” (Transmeton Muslimi).

6. Kur muslimani vishet me rroba të reja le të thotë: “ALLAHUMME LEKEL HAMD, ENTE KESEVTENIHI. ES’ELUKE HAJREHU VE HAJRE MA SUNIA LEHU. VE EUDHU BIKE MIN SHERR-RRIHI VE SHERR-RRI ME SUNIA LEHU.” (O Allah, ty të takon falënderimi. Ti ma bëre të mundur që ta vesh këtë (teshë). Kërkoj prej Teje të mirën e saj dhe të mirën për të cilën është qepur (prodhuar) dhe kërkoj mbrojtje te Ti nga sherri i saj dhe sherri për të cilin është qepur (prodhuar).) Transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu. Hadithi është hasen.




[1] Arabët aristokratë dhe të lirë, për t’u dalluar nga robërit dhe të varfërit, mbanin xhelabi të gjata deri në fund të këmbëve. Meqë Islami urren ndarjen e njerëzve në të pasur dhe të varfër, në të lirë dhe në robër, Pejgamberi alejhi selam urdhëroi që të mos mbahen xhelabitë e gjata dhe ua tërhoqi vërejtjen se ata që nuk e përfillin këtë urdhëresë do të dënohen me zjarr. Shih më gjerë librin “Nejlul evtar” të Shevkanit. (Shënim i përkthyesit)

 

Abdul-Hamid Suhejbani

Përktheu: Ferid Selimi

Template Design © Mburoja Tech Mesoislamin. All rights reserved.