Logo
Print this page

PESË KUSHTET E ISLAMIT

 

PËRSIATJE E PESË KUSHTEVE TË ISLAMIT
 
Allahu i Plotfuqishëm caktoi për këtë Ummet sheriatin më të plotësuar dhe fenë më të lehtë, e bëri Ummetin më të mirë ndër njerëz. Është Ummeti i fundit në këtë botë, ndërsa i pari në Ditën e Gjykimit për natyrën dhe përmbajtjen që ka, është përmbyllëse e shpalljeve qiellore.
Islami është begatia më e madhe që Allahu ia dha njerëzimit, për të cilin thotë: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe.” [Maide, 3]
Ky Islam madhështor është ngritur mbi pesë shtylla, që nëse i vështron do të gjesh se çdo shtyllë përmban dobi të mëdha e të mira të panumërta. Nisur nga ky aspekt duam të cekim diç nga tërë kjo, për të cilën dëshmojnë argumentet dhe realiteti, madje të flasësh për këtë çështje është edhe madhërim dhe falënderim ndaj Allahut për të mirat që na i ka dhënë, sikur që thotë edhe vetë Allahu xh.sh.: “E për të mirat që të dha Zoti yt, trego!” [Duha, 11]
 
Kushti i parë: Dëshmia (shehadeti)
Dëshmia e shehadetit që përmblidhet në fjalët “LA ILAHE IL-LALL-LLAH MUHAMMEDUN RESULULL-LLAH”është një kusht që nënkupton sinqeritetin e plotë të adhurimit ndaj Allahut si dhe pasimin e denjë të rrugës së Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Ai që me të vërtetë i përmbahet kuptimit të kësaj fjale meriton kënaqësinë në këtë botë (dunja) dhe në botën tjetër (ahiret). Në këtë botë e nxjerr nga populli i kufrit dhe e sjell te populli i Islamit, ruan gjakun dhe pasurinë e tij. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë: “Jam urdhëruar t’i luftoj njerëzit derisa të thonë La ilahe il-lall-llah, dhe kur ta thonë atë, janë të mbrojtur prej meje gjaku dhe pasuria e tyre përveç se me të drejtë (në rast të shkeljes së ligjeve). Poashtu thotë: “Kush thotë La ilahe il-lall-llah dhe mohon çdo gjë tjetër që adhurohet përveç Allahut, do ta dërgojëAllahu në xhenet edhe me ato vepra (të pakta) që i ka”.
Me pasimin e rrugës së Pejgamberit alejhi selam mbrohesh nga bid’atet, fiton dashurinë e Allahut dhe faljen e mëkateve. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Thuaj (o Muhammed): Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t’ju dojë.” [Ali Imran, 31] si dhe: “Kush i bindet Pejgamberit, ai i është bindur Allahut.” [Nisaë, 80]
Pra, pasimi i Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem është nga kuptimi i shehadetit.

Kushti i dytë: Falja e namazit
Namazi është lidhja mes robit dhe Krijuesit, afrohet tek ai përmes tij, i drejtohet Atij për nevojat që ka, pastrohet nga mëkatet e të këqijat. Ky akt adhurimi përfshinë të gjitha llojet e ibadetit me zemër, fjalë dhe vepra, që nuk përmblidhen kështu në asnjë ibadet tjetër.
Namazi ndihmon në vështirësi dhe në problemet e jetës, Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim dhe me namaz, se vërtet Allahu është me durimtarët!” [Bekare, 153] Sa herë që Pejgamberin alejhi selam e preokuponte ndonjë problem, ai strehohej te namazi, ku e gjente qetësinë e zemrës dhe prehjen shpirtërore duke e bërë që t’i harronte telashet e dunjasë dhe i ndihmonte në përballimin e vështirësive të jetës si dhe i hapte dyert e zgjidhjes së problemeve.
Namazi rregullon sjelljen e njeriut, e orienton në të mirë dhe e largon nga e keqja, qofshin fjalë a vepra. Allahu thotë: “Vërtetë namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat.” [Ankebutë, 45] dhe përfshin të përmendurit e Allahut: “... e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve).” [Ankebutë, 45]
Namazi pastron trupin e shpirtin, e pajis njeriun me durim në vështirësi dhe e mëson me shprehjen e falënderimit për të mirat, Allahu thotë: “Është e vërtetë se njeriu është i prirur të jetë i padurueshëm. Pse kur e godet ndonjë e keqe, ai ankohet së tepërmi. Ndërkaq, kur e gjen e mira, ai bëhet tepër koprrac. Përveç atyre që falen.” [Mearixh, 19-22]
Për këtë arsye muslimani gjithnjë është stabil dhe ballafaqohet me problemet e ndryshme duke qëndruar stoikisht dhe i paluhatshëm në imanin e tij. Pajtohet me kaderin e Allahut dhe nuk shpreh mospajtimin e tij me vetëvrasje si ndodh tek të tjerët, p.sh. te japonezët budistë vetëm në vitin 2003 janë bërë 34.427 vetëvrasje, edhe pse i kanë gjithë ato kushte materiale të mira.
Namazi është takim i drejtpërdrejtë me Allahun, sikur që tregohet në hadith se Allahu drejton fytyrën e Tij kah fytyra e atij që falet, dëgjon lutjet e tij dhe i përgjigjet në atë që kërkon. Na mjafton ta meditojmë vetëm Fatihanë që e lexojmë në çdo rekat, sa falënderime e lutje për Allahun përmban?!

Kushti i tretë: Dhënia e zekatit
Në këtë institucion ka dobi të shumta, që është shumë e qartë për ata që kanë mendje. Është pastrim i shpirtit nga koprracia dhe dorështrëngueshmëria, të cilat janë sëmundjet më të rënda shpirtërore, për këtë Allahu thotë:“Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar.” [Hashr, 9] si dhe: “Ata, të cilët bëjnë koprraci me atë që nga të mirat e Veta u dha Allahu, të mos mendojnë kurrsesi se ajo është në dobi të tyre. Jo, ajo është në dëm të tyre. Ajo e mirë me çka bënë koprraci, në Ditën e Kijametit do t’u mbështillet në qafën e tyre.” [Ali Imran, 180]
Me dhënien e zekatit bëhet shtimi i pasurisë dhe rritja e bereqetit. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë: “Nuk pakësohet asnjëherë pasuria nga sadakaja (zekati), madje vetëm se e shton. Këtë kuptim e përmban edhe vetë shprehja zekat që do të thotë: rritje dhe shtim. Në procesin e zekatit ka bamirësi ndaj fukarenjve dhe të të mjerëve, gjallërim të aktiviteteve, ndihmë luftëtarëve në rrugën e Allahut, lirim të të robëruarve, stimulim të atyre që e mbledhin zekatin, furnizim për udhëtarin që ka mbetur në rrugë (pa kurrfarë furnizimi). Allahu thotë: “Merr prej pasurisë së tyre lëmoshë (sadaka) që t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh (të mirat)!” [Tevbe, 103] dhe thotë: “Andaj, jepja të afërmit atë që i takon, e edhe të varfërit dhe udhëtarit, e kjo është shumë më e dobishme për ata që veprojnë për hir të Allahut dhe të tillët janë ata të shpëtuarit.” [Rrum, 38]
“Dhe ata që në pasurinë e vet kanë ndarë një pjesë të caktuar për lypësin dhe për nevojtarin që nuk lyp.”[Mearixh, 24-25]
Në këto dhe ajete tjera theksohet dobia e zekatit që arrihet për atë që paguan e edhe për atë që e merr, e kështu dhe ndërtohet shoqëria islame.

Kushti i katërt: Agjërimi
Agjërimi ka të mira e dobi të shumta. Më e rëndësishmja është se i jepet përparësi kënaqësisë së Allahut para kënaqësisë së vetes dhe epshit. Kur agjëruesi zbaton urdhrin e Zotit të vet duke lënë pasimin e epsheve të tij sa që e lë gjënë më të kërkuar që ia do trupi – ushqimin, pijen dhe kënaqësinë me bashkëshorten, duke e ditur se në këtë është dëshira dhe kënaqësia e Allahut.
Agjëruesi me këtë ibadet edukohet në durim e qëndrueshmëri, kur përballon tmerrin e urisë dhe flakën e etjes. Për këtë arsye Ramazani është quajtur muaji i sabrit. S’ka dyshim se sabri ka një pozitë dhe vlerë të madhe në Islam, ka shumë ajete kur’anore që flasin për të dhe lavdërojnë ithtarët e tij. E ky sabër arrihet me agjërim.
Me agjërim pastrohet shpirti, ndalet njeriu prej dëmeve ndaj të të tjerëve me fjalë a vepra. Nuk i lejohet agjëruesit që të përgojojë, shpif, bart fjalë, të ngacmojë dikë, madje edhe nëse dikush e sulmon të mos i përgjigjet në të njëjtën mënyrë, në hadith thuhet: “Nëse dikush e ofendon le të thotë: Unë jam agjërues”.
Agjërimi e bën njeriun t’i përkujtojë të mirat e Allahut që ia ka dhënë, si ushqimi e pirja, të kuptojë vështirësitë e mungesës së tyre kur më së shumti i nevojiten kur është i uritur dhe i etur. Poashtu përkujton nevojën e të të varfërve e të të mjerëve, të cilët nuk kanë çfarë të hanë e as të pinë. Agjërimi fisnikëron shpirtin dhe pengon lëvizjen e shejtanit tek njeriu për nxitjet keqbërëse. Allahu thotë: “Jo, është e vërtetë se ai (njeriu) i kalon kufijtë.” [Alak, 6]
Në agjërim ka sekrete interesante dhe të mira të panumërta, të cilat mund t’i nxjerrim nga ajeti: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm!” [Bekare, 183]
Agjërimi është mundësi e arritjes së devotshmërisë, përmes së cilës arrihen të mirat e Allahut, lavdërohen dhe gradohen ithtarët e saj.

Kushti i pestë: Haxhi
Haxhi ka të mira të shumta, të menjëhershme e të mëvonshme, që nuk mund as të llogariten. Në hadithin që e transmeton Abdullah bin Omeri r.a. në të cilin thotë: Isha i ulur me Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në xhaminë e Mines, erdhi një njeri prej ensarëve dhe një tjetër prej Thekifit. Dhanë selam, pastaj thanë: O i Dërguar i Allahut, kemi ardhur për të të pyetur. Pejgamberi tha: Nëse doni ju informoj për çfarë keni ardhur të më pyetni, por nëse doni do heshti derisa ju të pyetni, e pastaj ju përgjigjem. Thanë: Na trego, o i Dërguar i Allahut! Ai i Thekifit i tha ensariut pyet, e ai tha: Më informo o i Dërguar i Allahut! I Dërguari i Allahut tha: Ti ke ardhur të më pyesësh për daljen tënde nga shtëpia jote duke synuar Qaben dhe çfarë shpërblimi ka për këtë. Ke ardhur të më pyesësh edhe për dy rekatet pas tavafit dhe shpërblimin për to, për tavafin mes Safasë dhe Merves dhe shpërblimin për të, për qëndrimin në mbrëmjen e Arafatit dhe shpërblimin për të, për hedhjen e guralecëve dhe shpërblimin për të, për kurbanin dhe shpërblimin për të, për kurbanin dhe shpërblimin për të me zbrazjen. Ai tha: Pasha Atë që të ka dërguar, për këtë kam ardhur të të pyes! Pastaj Pejgamberi alejhi selam tha: Kur të dalësh nga shtëpia duke synuar Qaben, sa herë që devja jote e vendos thundrën e saj dhe e ngrit atë do të të shënohet një e mirë dhe do të të fshihet një e keqe. Ndërsa, dy rekatet pas tavafit kanë shpërblimin sikur ta lirosh një rob prej bijve të Ismailit, për tavafin në mes të Safasë dhe Merves ke shpërblim sikur të lirosh 70 robër. Për qëndrimin në mbrëmje në Arafat Allahu zbret në qiellin e dunjasë duke u mburrur me ju para melekëve duke thënë: “Robërit e mi kanë ardhur të pakrehur (të pluhurosur e të djersitur) nga të gjitha anët duke shpresuar mëshirën time, edhe po të jenë mëkatet e tyre sa sasia e rërës apo pikave të shiut, apo sa shkuma e detit do t’ua fali dhe u them zbrazuni (zdirgjuni) o robërit e mi se ua kam falur juve dhe atyre për të cilët ndërmjetësoni”. Për gjuajtjen në xhemerate, për çdo guralec të hedhur të shlyhet një mëkat i madh. Kurbani yt është i ruajtur te Zoti yt, për rruarjen e kokës për çdo fije floku ke një shpërblim (sevap) dhe shlyerje të një mëkati. Ndërsa, kur ta bësh tavafin (e haxhit) rreth Qabes nuk do të kesh asnjë mëkat (je i pastër). Do të vijë një melek, do t’i  vendos duart e tij  mbi supet tua dhe të thotë: Puno për të ardhmen tënde, sepse mëkatet e kaluara të janë falur!”

Lexues të nderuar!
Ky është Islami i ndërtuar mbi këto pesë shtylla të mëdha. Andaj, gjëja e cila kërkohet prej jush për vazhdimësinë e juaj në këtë, në çdo çast, është shehadeti. Ajo çka kërkohet prej jush në çdo ditë dhe natë janë pesë kohët e namazit. Ajo çka kërkohet prej jush në çdo vit janë zekati dhe agjërimi i Ramazanit. Ajo çka kërkohet prej jush njëherë në jetë është haxhi. Çka të shtosh është vullnetare dhe e mirëseardhur.
Falënderojeni Allahun për këtë dhe përmbajuni Fjalës së Tij ku thotë: “O ju që besuat, kinie frikë Allahun me një sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë muslimanë (besimtarë)!” [Ali Imran, 102]
Template Design © Mburoja Tech Mesoislamin. All rights reserved.